Ballina Aktualitet

Dëmtimi i ujëmbledhësit në Sasaj, MM: Aksi nacional Bunec-Piqeras i kalueshëm, u prekën 12 biznese

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes informoi sot lidhur me situatën e krijuar në Bunec, bashkia Himarë ku u dëmtua ujëmbledhësi i hidrocentralit të fshatit Sasaj.

Në një njoftim për shtyp Ministria e Mbrojtjes sqaron se “rreth orës 12:26 të ditës së sotme ujëmbledhësi i Sasajt, në Bunec, bashkia Himarë, i cili është ndërtuar në vitin 2010 ka pësuar shembje. Në momentin e shembjes ka patur rreth 15.000 metra kub ujë. Si pasojë ka prezencë uji dhe balte në 12 biznese në Bunec dhe është dëmtuar baza ushqimore e blegtorisë në 2 familje. Nuk ka probleme në njerëz”.

“Aktualisht është bërë i kalueshëm aksi i rrugës nacionale Bunec-Piqeras dhe po punohet nga strukturat e bashkisë Himarë për pastrimin e baltës. Situata po ndiqet nga prefektura Vlorë dhe strukturat e emergjencave civile të bashkisë Himarë”, thuhet në njoftimin e MM-së.

Në njoftim theksohet se “Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri, në ndihmë të komunitetit”.

 

/k.s/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE njofton ndihmën humanitare për Gazën me vlerë 120 milionë euro
Artikulli tjetërProjekti i Kushner në Sazan, Berisha: Nuk kundërshtojmë një ofertë që plotëson rregullat ligjore