Ballina Flash

Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës mirëpriti mbi 263 mijë vizitorë gjatë 2024-ës

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës, e shtrirë në një hapësirë prej 335 metra në kodër të qytetit, vijon të mbetet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga turistët vendas dhe të huaj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale tha sot se “Kalaja e Gjirokastrës kryeson listën e monumenteve kulturore, si siti më i vizituar për vitin 2024, ku mirëpriti plot 263,048 vizitorë, 21% më shumë krahasuar me 2023”.

“Një dëshmi e magjisë dhe historisë që ofron Gjirokastra”, tha Gonxhja.

Të mrekulluar nga çfarë ofron Gjirokastra, turistët vijnë nga vende të ndryshme të botës për të prekur nga afër bukuritë, historinë, traditat e qytetit muze.

Në çdo stinë të vitit kalaja tërheq mijëra vizitorë duke e kthyer atë ne objektin më të vizituar të qytetit të gurtë.

Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të rralla të këtij lloji, ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Pas pushtimit osman, në fund të shekullit XIV, u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II rreth vitit 1490. Nga viti 1811, Ali pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Ai përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

/k.s/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEkstradohet nga Italia 56-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë
Artikulli tjetërAmbasada e SHBA: Mbështetja për Burgjet, tjetër hap për të çuar më tej Reformën në Drejtësi