Ballina Flash

Votimi nga jashtë – Gati 17 000 të regjistruar dhe 2626 kërkesa të miratuara

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Numri i regjistrimeve të votuesve nga jashtë, i cili për herë të parë u jep mundësinë shtetasve shqiptarë kudo që jetojnë që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen në 11 maj, ka arritur shifrën 16867.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kërkesat për regjistrim janë 16867 deri sot në orën (17:30), ndërsa janë miratuar 2626 kërkesa.

Sipas gjinisë, në përqindjen më të lartë të regjistruesve janë meshkujt me 11444 (67,8%) kërkesa, ndërsa femrat janë 5423 (32,2%).

Për sa i takon kërkesave për regjistrim sipas grup-moshave, numrin më të lartë të kërkesave e ka grup-mosha 26-35 vjeç me 5197 kërkesa, më pas grup-mosha 36-45 vjeç me 4625 kërkesa, nga grup-mosha 46-55 janë regjistruar 3128 dhe mbi 56 vjeç janë 2233 kërkesa për regjistrim.

Më të rinjtë, grup-mosha 18-25 vjeç, kanë numrin më të vogël të kërkesave, me 1684 të tilla.

Sipas të dhënave janë refuzuar 860 kërkesa.

Kërkesat për regjistrime janë nga vende të ndryshme të botës. Numri më i lartë i kërkesave është regjistruar nga Italia me 5060, e ndjekur nga Greqia me 3679, Gjermania me 2702 si dhe nga SHBA me 1632. Sa i takon kërkesave sipas bashkive, numri më i lartë i aplikimeve është për Tiranën me 3930, më pas bashkia e Fierit me 2908, Korça me 1862, Durrësi me 1443 etj./r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuvendi Rinor i Tiranës, Balla: Pas 11 majit do të kemi 84 mandate në Kuvendin e Shqipërisë
Artikulli tjetërManastiret e Luginës së Drinos, pjesë e “World Monuments Watch 2025” – SHBA: U zgjodh mes 200 nominimesh