Ballina Aktualitet

Begaj: Të rinjtë krijojnë mundësi për integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 15 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).

Kreu i Shtetit përgëzoi Sekretarin e Përgjithshëm të RYCO në Shqipëri si edhe drejtuesit  lokalë për punën e deritanishme të kësaj organizate për ndërtimin e rrjeteve të bashkëpunimit ndërinor në Ballkanin Perëndimor, nxitjen e ndërkulturalitetit, mendësisë së paqes, mirëkuptimit e bashkëpunimit.

Presidenti Begaj inkurajoi Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor të zgjerojë sipërmarrjen e nisur, që synon promovimin e fqinjësisë së mirë mes vendeve të rajonit, si dhe bashkëpunimin e të rinjve përmes programeve të shkëmbimit, duke u shprehur: “E ardhmja është në duart e të rinjve. Ata kanë aftësitë dhe energjitë të krijojnë mundësi të reja për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe për integrimin Euroatlantik të Ballkanit Perëndimor”.

Marrëveshja për Themelimin e RYCO u nënshkrua nga kryeministrat e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e BP-së, të mbajtur në Paris më 4 korrik 2016. Kjo organizatë është produkt i Procesit të Berlinit. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakWalker kthehet në Reçak: I mahnitur nga numri i vizitorëve
Artikulli tjetër161-vjetori i lindjes së Heroit të Popullit, Isa Boletini