Ballina Bota

FINLANDË – Helsinki do të presë samitin e vendeve anëtare të NATO-s në Detin Baltik javën e ardhshme

HELSINKI, 8 janar /ATSH-DPA/- Presidenti finlandez, Alexander Stubb do të presë në Helsinki një samit të vendeve të NATO-s që kufizojnë Detin Baltik së bashku me kryeministren estoneze Kristen Michal të martën e ardhshme.

Në samitin, i cili do të zhvillohet në Pallatin Presidencial, do të marrin pjesë sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte si dhe liderë nga Gjermania, Danimarka, Letonia, Lituania, Polonia dhe Suedia.

“Tema do të jetë siguria e rajonit të Detit Baltik, veçanërisht masat e nevojshme për të siguruar infrastrukturën kritike nënujore”, tha sot presidenca finlandeze në një deklaratë.

Diskutimi do të fokusohet në forcimin e pranisë së NATO-s në Detin Baltik dhe reagimin ndaj kërcënimit të paraqitur nga flota e anijeve të Rusisë.

Samiti është një përgjigje ndaj një sërë incidentesh në të cilat kabllot e energjisë elektrike në Detin Baltik janë dëmtuar nga anijet që dyshohet se janë të lidhura me Rusinë.

Në ditën e Krishtlindjeve, dëmtimi u zbulua në kabllon e energjisë Estlink 2 midis Finlandës dhe Estonisë, si dhe në katër kabllo komunikimi, duke përfshirë një lidhje midis Helsinkit dhe Rostock-ut të ndërprerë në një incident të mëparshëm në nëntor.

Anija-cisternë “Eagle S” dyshohet se ka shkaktuar qëllimisht dëmin në ditën e Krishtlindjeve.

Rusia po përdor anije-cisternë dhe anije mallrash për të anashkaluar sanksionet e vendosura si rezultat i pushtimit të saj në Ukrainë, për shembull kur transporton naftë. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërgatitjet për zgjedhjet e 11 majit, Celibashi takim me ambasadorin britanik
Artikulli tjetër“Shkodra, Qytet Evropian i Sportit 2025”, Beci: Në verë “Beach Volley” në Velipojë