Ballina Flash

KQZ rendit Listën Serbe në fletëvotime – kundërshtohet nga Lëvizja Vetëvendosje

PRISHTINE, 6 janar/ATSH/ Të hënën u hodh shorti për renditjen e partive politike në fletëvotimet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, në të cilën Lista Serbe do të ketë numrin 112.

Përfshirja e saj nxiti reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pasi që në ditën e fundit të vitit që lamë pas Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se vendimi i këtij paneli për certifikimin e Listës Serbe është i detyrueshëm dhe duhet të zbatohet.

Zëvendësministri i Drejtësisë, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu tha sot se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shkeli sërish ligjin me përfshirjen e Listës Serbe në fletëvotim, pa e pritur përgjigjen e Panelën në ankesën e kësaj lëvizjeje.

“Në bazë të nenit 130 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret, në PZAP”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Një zyrtar i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i tha Zërit të Amerikës se ky mekanizëm ende nuk ka pranuar ndonjë ankesë zyrtare, duke theksuar se sapo të pranohet ankesa komisioni do ta shqyrtojë dhe do t’i përgjigjet.

Vëzhguesit e pavarur theksojnë se ky proces nuk do të ndryshojë asgjë në certifikimin e Listës Serbe.

Me 23 dhjetor dy anëtarë të Komisionit votuan për certifikimin e Listës Serbe, shtatë abstenuan, ndërsa kundër votuan përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se kjo parti e themeluar dhe e mbështetur nga Beogradi nuk e njeh shtetin e Kosovës.

Lista Serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për mos certifikimin e saj dhe u ankua në Panelin Zgjedhor. Vendimi i panelit u vërtetua nga Gjykata e Lartë e Kosovës pas një ankese të Vetëvendosjes.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të dielën se për kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, Lista Serbe është kundërshtari thelbësor në zgjedhjet parlamentare duke e akuzuar atë se po përpiqet të pengojë pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Të shtunën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi listën prej më shumë se dy milionë votuesve, ndërkaq sot njoftoi se fushata e zgjedhjeve në Kosovë pritet të fillojë të shtunën me 11 janar. /VOA/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMOSKË – Rusia pushton qendrën e rëndësishme logjistike në Ukrainën lindore
Artikulli tjetërSistemi financiar, inflacioni dhe pagesat, në momentin më të mirë