Ballina Ekonomi

Strehimi social 2025-2026, Gonxhja: Thirrja për aplikime deri në 31 janar

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se “vijon të jetë e hapur thirrja për aplikime në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social 2025-2026”.

Në një postim në rrjete sociale Gonxhja theksoi se “bashkitë kanë mundësinë të përfitojnë financime për projekte që përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe ofrojnë siguri për qytetarët. Afati i aplikimit është deri më 31 janar 2025”.

Gonxhja ndau gjithashtu një video me pamje nga rehabilitimi i 24 banesave në Vaun e Dejës, falë investimeve të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Këto 24 familje në nevojë kanë përfituar përmirësim të kushteve në banesat e tyre në kuadër të Programit Kombëtar të Strehimit Social për vitin 2024.

Banorët që kanë përfituar banesat u shprehën në videon e publikuar nga Gonxhja se janë të kënaqur me përmirësimin e kushteve në shtëpitë e tyre.

Ky program mbështetet nga fondet e MEKI-së, të cilat i transferohen bashkive që aplikojnë çdo vit për të përfituar financime në projekte që përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe u japin qytetarëve siguri dhe dinjitet.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFëmijët vizitojnë Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile, Vengu: Frymëzim të bëhen profesionistët e përkushtuar të së nesërmes
Artikulli tjetërSLLOVAKI – Ministri i Mbrojtjes: Ukrainës mund t’i duhet të heqë dorë nga një pjesë të territorit për të arritur paqen