Ballina Ekonomi

Profesionet e lira, Tatimet: Mbi 7 mijë profesionistëve iu rikthyen 6 milionë euro

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Afro gjashtë milionë euro u janë kthyer profesionistëve të lirë në llogaritë e tyre bankare.

Drejtoresha e Proceseve të Biznesit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Rozana Çelmeta sqaroi për Report TV sot se DPT synon ta përmbyllë brenda 30 dhjetorit rimbursimin e ofruesve të shërbimeve profesionale që kanë parapaguar këstet mbi fitimin apo të tatimit të thjeshtuar.

“Kemi kthyer më shumë se 90% të pagesave, të rimbursimeve të tatimpaguesve, dhe vijojmë të rimbursohen tatimpagues. Sot kemi dërguar për pagesë edhe 300 tatimpagues të tjerë të cilët deklaruan të dhënat e tyre bankare në “e-Filing”. Deklarimi është shumë i rëndësishëm, sepse Akti Normativ specifikon që lekët kthehen në bankë. Janë rimbursuar 7468 tatimpagues me vlerë 6 milionë euro”, pohon Çelmeta.

Çelmeta u bën thirrje bizneseve të deklarojnë llogaritë e sakta bankare në “e-Filing”, brenda muajit, në mënyrë që të marrin paratë e paguara.

“E vetmja që nuk është rimbursuar janë ato që nuk kanë deklaruar llogaritë. Janë në kohë t’i deklarojnë llogaritë aktive, në lekë, në një bankë të nivelit të dytë. Ne presim deri në fund të afatit që tatimpaguesit të plotësojnë llogaritë e sakta. Janë 600 tatimpagues që nuk e kanë plotësuar këtë detyrim, që s’kanë asnjë të dhënë të llogarisë në “e-Filing””, tha ajo.

E pyetur se çfarë do të ndodhë me tatimpaguesit pas 30 dhjetorit 2024, nëse ata mund t’i marrin mbrapsht paratë e paguara, Çelmeta sqaron se “nuk humbet asnjë e drejtë e tatimpaguesit për t’i marrë, po procesi do të vijohet në drejtoritë rajonale përmes një kërkese për të marrë fondet”.

Llogaritë e tatimpaguesve, thotë Çelmeta, janë të pastra, pasi detyrimet u janë fshirë.

“Të gjithë tatimpaguesit që u ngarkuan me detyrime, janë fshirë të gjitha, s’ka më detyrime për këto këste, janë të pastra llogaritë për këto përgjegjësi tatimore”, tha ajo.

Akti Normativ për të kthyer mbrapsht këstet e parapaguara nga profesionistët e lirë u miratua nga qeveria në fund të muajit nëntor. Ky vendim u mor pasi në muajin qershor 2024, Gjykata Kushtetuese rrëzoi disa nene të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku parashikohej tatimi i kësaj kategorie profesionistësh.

Tatimi i profesionistëve të lirë u miratua në mars të vitit 2023 dhe parashikonte 15 për qind tatim për ata profesionistë me të ardhura deri 14 milionë lekë, dhe 23 për qind kush merrte më shumë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakITALI – Tajani: Po punojmë për një konferencë paqeje me Rusinë
Artikulli tjetërDenaj: 1.4 mld lekë shtesë mbështetje për fermerët, disbursim 100% brenda dhjetorit