Ballina Aktualitet

KQZ konfirmon mandatin e kryebashkiakut të Libohovës, Leonard Hide

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot të lejojë vazhdimin e mandatit në krye të bashkisë së Libohovës Leonard Hide.

Në vendimin e marrë sot, KQZ thekson se është shqyrtuar edhe rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues Leonard Vyrtyt Hide, kryetar bashkie në Bashkinë Libohovë, i propozuar nga subjekti zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023. Komisioneri konstatoi se Leonard Hide nuk përfshihet në kushtet e ndalimit për të ushtruar funksionin publik të Kryetarit të Bashkisë.

Kujtojmë që Hide është nën hetim dhe akuzë nga SPAK për “shpërdorim detyre”, për periudhën kur ishte shef i Krimeve në Gjirokastër, në lidhje me parcelat e drogës.

Por, duke qenë se çështja është në fazë hetimi dhe nuk ka një vendim fajësie nga GJKKO, KQZ doli me vendimin për të mos e penguar Hiden nga angazhimi i tij si kryebashkiak i Libohovës.

Leonard Hide fitoi zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, duke u shpallur kryetar i bashkisë së Libohovës.

/e.i/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKumbaro: Dhurimi i gjakut, merr vlerë sa vetë jeta për dikë që ka nevojë
Artikulli tjetërTEL AVIV – IDF: Kemi vrarë mbi 45 luftëtarë të Hezbollahut në Liban