Ballina Kulturë

“Ëndrra e Gotfridit” e kompozitorit shqiptar Red Radoja, në Francë

TIRANË, 31 tetor/ATSH/- Opera e dhomës “Ëndrra e Gotfridit” (Le Songe de Godefroy) e kompozitorit shqiptar Red Radoja, është shfaqur ditët e fundit në Teatrin Bashkiak të Epinalit, në Francë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, shprehet se “në Teatrin Bashkiak të Epinalit, në Francë është vënë në skenë opera “Ëndrra e Gotfridit” e kompozitorit shqiptar me banim në Francë, Red Radoja, bir arti i aktorit të mirënjohur Guliem Radoja”.

Përveç muzikës, Red Radoja është edhe autor i libretit, ndërsa si sfond skenografik i shfaqjes kanë shërbyer imazhet e fotografes shqiptare me banim në Gjermani, Orestia Kapidani, e cila është gjithashtu autore e posterit.

Kjo është opera e parë e kompozitorit Radoja. Ajo ka tri tablo dhe një prolog dhe tregon historinë e dukës Gotfrid të Lorenës, të cilin e zë muzgu në një pyll të Dardanisë. Atij i shfaqet në ëndërr një Orë, e cila mundohet ta joshë dhe ta kthejë nga rruga, duke e gënjyer se Sulltani e ka lëshuar Jeruzalemin dhe kryqëzata nuk ka më arsye të vazhdojë. Ora i jep të pijë kupën e harresës, të cilën ia servir si kupë të dashurisë. Por shfaqet Redoni, hyji ilir i detit dhe ish-i dashuri i Orës, i cili e prish magjinë dhe i thotë Gotfridit të vazhdojë misionin… /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak50 trajnerët më të mirë të vitit 2018
Artikulli tjetër“Samiti i Studentëve”, mundësi të rinjve për të trajtuar problematikat