Ballina Flash

Ekspozitë e përbashkët shqiptaro-kineze në Galerinë e Tiranës

TIRANË, 24 shtator/ATSH/ Një prej aktiviteteve në programin e Javës Kulturore Kineze është dhe ekspozita e çelur në Galerinë e Artit Tiranë, me titull “MIQTË / Art & Histori”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë Javës Kineze, nga 23 deri më 29 shtator. Kjo është një ekspozitë e përbashkët pikture me artistë kinezë dhe shqiptarë.

JKN shkruan në faqen e tyre online se janë miqësitë ato që na ndihmojnë të çmojmë dhe të respektojmë kulturat e njëri-tjetrit, duke nxitur bashkëpunime përtej kufijve dhe duke u mbështetur fuqimisht tek arti, që na frymëzon të gjithëve.

Javët Kulturore Ndërkombëtare ftojnë artdashësit të zbulojnë këtë dialog vizual që lidh dy kultura dhe ndan emocione dhe mesazhe të thella përmes artit. Ekspozita e kuruar nga Helidon Haliti, e sjell artin si një mjet të mrekullueshëm lidhës mes njerëzve dhe vendeve dhe tregon se në këtë rrugëtim kemi qënë në gjëndje të ruajme kujtesën tonë të përbashkët.

Java Kulturore Kineze (23-29 shtator) përkon dhe me 75-vjetorin e vendosjes të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Kinës. Programi njëjavor është i mbushur me evente të ndryshme, të cilat sjellin për publikun artin dhe kulturën mijëravjeçare të Republikës së Kinës: nga muzika tek kinematografia, nga eskpozitat e pikturës tek gastronomia dhe lojrat për fëmije, kjo javë ofron emocion dhe argëtim për këdo.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEuropa League, arbitri shqiptar Juxhin Xhaja drejton sfidën AZ Alkmaar – Elfsborg
Artikulli tjetërShtylla: Bankat kanë rreth 75% të kredisë të kolateralizuar