Ballina Bota

FOKUS – Valë e re shpërthimesh në Liban

BEJRUT, 18 shtator /ATSH-DPA/- Një valë e re shpërthimesh u dëgjua sot në periferitë jugore të Bejrutit dhe Libanin jugor.

“Të paktën 14 persona u vranë dhe 450 të tjerë u plagosën në valën e fundit të shpërthimeve të lidhura me pajisjet elektronike në Liban”, tha sot Ministria e Shëndetësisë në Bejrut.

Një burim në milicinë libaneze pro-iraniane Hezbollah tha se pajisjet me valë si telekomandat kishin shpërthyer pa dhënë detaje të mëtejshme – dhe një burim libanez i sigurisë konfirmoi më vonë se pajisjet që kishin shpërthyer ishin telekomanda – disa prej tyre në makina dhe disa të tjera po transportoheshin nga anëtarë të Hezbollahut me motoçikleta.

Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve (NNA) tha se të paktën tre persona u vranë në valën e re të shpërthimeve në luginën perëndimore, Bekaa.

Zhurma e shpërthimeve u dëgjua ndërsa Hezbollahu po mbante zi për disa nga njerëzit që vdiqën në sulmin e së martës, i cili vrau 12 persona dhe plagosi rreth 2 800 të tjerë.

Të martën pasdite, pajisjet e telekomunikacionit të dorës – të mbajtura nga luftëtarët e Hezbollahut – shpërthyen në disa zona në periferitë jugore të Bejrutit dhe në Libanin jugor dhe lindor. Hezbollahu fajësoi Izraelin për sulmin.

Njerëzit në qytetin port jugor të Tirit raportuan se kishin dëgjuar të njëjtat tinguj dhe thanë se ambulancat po vraponin nëpër rrugë pasi u dëgjuan shpërthimet. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Berlini zgjat misionin e trupave gjermane në Irak deri në janar 2026
Artikulli tjetërBlerta Rama nga sot zv/ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit