Ballina Lajme nga Vendi

“Tottenham” – “Manchester City”, supersfida në Wembley

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ – “Tottenham”-“Manchester City” do të jetë supersfida e kësaj jave në kampionatin anglez, ndeshje që do të nisë në mbrëmje në orën 21:00.

Pas një fillimi jo krejt të thjeshtë, londinezët kanë hyrë në rrugën e fitoreve dhe gjenden vetëm 2 pikë larg skuadrës së Pep Guardiolas. Ndërkohë, Citizens do të kërkojnë të mbajnë hapin e rivalëve të Liverpoolit, të cilët fituan 4-1 përballë “Cardiff City-t”.

Që nga ardhja e tij në krye të klubit nga Manchesteri, Guardiola është mundur vetëm një herë nga Maurcio Pocchettino, ka barazuar një, dhe ka fituar tri herë në tri takimet e fundit.

Favoritë për këtë ndeshje janë pa dyshim “Citizens”, që nuk kanë humbur asnjë ndeshje deri më tani në Premier League. Gjithsesi, “Spurs”-at janë një ekip që gjithmonë hapin probleme e në rast suksesi do të parakalonin rivalët e tyre në renditje si dhe do të fusnin emrin e tyre në listë në garën për titull. Një sfidë edhe mes 2 prej sulmuesve më të mirë në botë, Sergio Aguero dhe Harry Kane. Gjatë këtij sezonit, argjentinasi ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar 2 asiste, ndërkohë kryegolashënuesi i sezonit të shkuar në Angli ka tundur 5 herë rrjetat e kundërshtarëve.

Ritmi dhe adrenalina e kampionatit anglez ka dhuruar gjithnjë një futboll të bukur e me shumë raste shënimi. Kjo gjë pritet të vërtetohet edhe në këtë takim, ku do të vihen përballë dy prej skuadrave më sulmuese dhe spektakolare të Premier League-s vitet e fundit.

/gj.m/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeseli mbjell fidanë në Gjilan, thirrje për ruajtje të mjedisit
Artikulli tjetërMediet spanjolle: Sot, “Reali” shkarkon Lopetegiu, në vend të tij Konte