Ballina Flash

Fotografë ndërkombëtarë ekspozitë në COD

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ “Things Take Time” është ekspozita më e re që Qendra për Hapje dhe Dialog do të prezantojë së shpejti, në këto ditë vere.

Ekspozita do të sjellë në mjediset COD-it vepra të realizuara përgjatë viteve 1991-2010, kohë që pasqyrojnë periudhën e rënies së komunizmit.

Nën kujdesin e kuratores Sylvia Sachini, ekspozita me fotografi të bëra nga fotografë me famë ndërkombëtare të MAGNUM PHOTOS e që vijnë si dëshmi historike dhe gjithashtu si një ndihmë për të kuptuar tranzicionin që ndodhi në Shqipëri gjatë atyre viteve.

Në çeljen e ekspozitës do të jenë të pranishëm vetë artistët të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës; Alex Majoli nga Italia, Carl De Keyzer nga Gjermania, Enri Canaj nga Shqipëria, Martin Parr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Nicos Economopoulos nga Greqia.

Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim i Qendrës për Hapje dhe Dialog, “MAGNUM PHOTOS”, Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës së Greqisë në Shqipëri, MISC-ATHENS dhe Albanian Center of Photography (ACOP).

Ekspozita do të jetë e hapur në COD për publikun nga data 17 korrik deri më 17 gusht 2024.

COD ka zgjedhur të publikojë një prej fotografive pjesëmarrëse në ekspozitë. Ajo është e fotografit Alex Majoli dhe vjen si një dëshmi e kohës kur u thyen barrierat e vëna nga regjimi komunist ndaj transmetuesve të huaj.

Fotografia tregon se si çdo banesë shqiptarësh kishte një antenë parabolike në ballkon, duke dëshmuar etjen për informacion e hapje ndaj perëndimit, një bote të panjohur për ta.

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT EURO2024 – ”Gjeniu”, ”përrallori” apo ”gjysmëperëndia”, medias botërore i mungojnë epitetet për Yamal
Artikulli tjetërNdryshimet në ligjin “Për peshkimin”, Denaj: Përafrim me legjislacionin e ri të Bashkimit Evropian