Ballina Flash

Konferencë e përbashkët shkencore mes akademikëve të Tiranës e Prishtinës

TIRANË, 4 korrik/ATSH/ Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u zhvillua konferenca shkencore e përbashkët me Akademinë e Shkencave te Shqipërisë “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024”. Nga ASHSH morën pjesë Aurela Anastasi, Kosta Bajraba dhe Ksenofon Krisafi.

Akademike Aurela Anastasi, një nga organizatoret e kësaj konference, mbajti kumtesën me titull: “Kontrolli kushtetues në shtetin shqiptar të pavarur deri në rënien e regjimit monist”. Përmes kësaj kumtese evidentoi zhvillimet e konstitucionalizmit në vitet 1920-24 dhe ndikimin në zhvillimet e mëtejshme. Ajo sintetizoi evolucionin historiko-juridik të parimit të Konstitucionalizmit dhe të kontrollit kushtetues në Shqipëri.

Përmes analizës së dokumenteve të reja arkivore, punimi arrin në gjetje e konkluzione të rëndësishme për zhvillimin e kësaj lëmie.

Për herë të parë paraqitet një periodizim i zhvillimit të kontrollit kushtetues në Shqipëri bazuar në modelet ndërkombëtare. U shqyrtua kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së normave dhe roli i Këshillit të Shtetit (1929-1944) si organ kushtetues që kreu këtë kontroll. U shtruan për diskutim gjetjet mbi përpjekjet e Gjykatës së Diktimit, për të ushtruar kontroll gjyqësor të kushtetutshmërisë. U diskutua perspektiva e ndikimit të ndërsjellë të doktrinës me kontrollin kushtetues.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBB, program për transport të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor
Artikulli tjetërKoçiu: Katërfishuam buxhetin për kimioterapitë, akseleratorët shkurtuan kohën e pritjes nga 3 muaj në 2-3 javë