TIRANË, 20 qershor/ATSH/ Kombëtarja shqiptare pas përfundimit të ndeshjes me Kroacinë në stadiumin e Hamburgut është rikthyer në kampin bazë në Kaiserau në Kamen. Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e tretë dhe të fundit në grupin B të Kampionatit Europian ndaj Spanjës.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, doli këtë të enjte në një konferencë për mediat dhe u ndal te barazimi me Kroacinë. Futbollisti kuqezi foli edhe për ecurinë e Kombëtares deri tani në Kampionatin Europian dhe për ndeshjen e të hënës ndaj Spanjës.
Manaj u shpreh se “këto ditë po përgatitemi të bëjmë historinë e të marrin 3 pikë kundër Spanjës”.
“Besoj se Spanja është ekip shumë i madh. Po të mundë sot Italinë kemi më shumë shpresa. Kanë lojtarë të mëdhenj si Rodri dhe Morata. Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të bëjmë maksimumin deri në fund”, tha Manaj.
Manaj u shpreh se “ekipi është shumë i motivuar, ndeshja e fundit është vendimtare. Lojtarët do jenë të përqendruar 100%. Emocionet janë të mëdha sepse është Kampionat Europian, gjithë Shqipëria dhe bota e shikon. Të gjithë lojtarët fitoren me Spanjën duam”.
“Shpresoj që Kombëtarja të eci sa më para, ajo ka më shumë rëndësi jo individualiteti. Normalisht duhet të futemi me Spanjën edhe më fort se me Kroacinë. Duhet të jemi të përqendruar sepse është ndër ekipet më të mira në botë. Duhet të japim maksimumin nga minuta e parë deri në fund”, tha Manaj.
I pyetur për ndeshjen e djeshme, Manaj theksoi se “mund të kishim arritur 3-pikëshin, patëm ato 2 minuta që na bënë 2 gola. Besoj se goli i dytë mund të jepej edhe faull, por gjyqtari tha se nga Var-i nuk kishte asgjë”.
“Nuk morën dot 3-pikëshin, do ishte shumë e rëndësishme se tani duhet të fitojmë patjetër me Spanjën për të kaluar grupin”, tha Manaj.
/k.s/























