TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Në Tiranë hapi sot për herë të parë dyert Kolegji i Evropës, me 24 nëpunësit civilë nga Ballkani Perëndimor, të cilët do të jenë pjesë e trajnimit: “Çështjet Evropiane dhe Bashkëpunimi Rajonal”.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e çeljes së Kolegjit deklaroi hapa të tillë e bëjnë të ardhmen tonë në Evropë më të prekshme.
“Jemi përsëri këtu, për të organizuar dhe mirëpritur inisiativën e Kolegjit të Evropës në Bruges, të mbështetur nga Mbretëria e Holandës për organizimin e një program të BE-së, në lidhje me nëpunësit e shërbimit civilë nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo është një inisiativë që ka pasur nismën e saj në vitin 2022, në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian, për të sjellë Kolegjin e Evropës në Tiranë”, u shpreh Hasani.
“Pa mbështetjen politike dhe financiare të institucioneve të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare të tij, kampusi i Tiranës nuk do të kishte parë dritën dhe nuk do të ishte gati për të pritur grupin e parë të studentëve tashmë në vitin akademik 2024-2025”, vijoi ai.
“Do doja të falenderoja qeverinë shqiptare, kryeministrin Rama, ministrat përgjegjës dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, për vizionin, për reagimin e fortë dhe të menjëhershme për të përmbushur detyrimet tona dhe për të bërë realitet Kolegjin e Evropës në Tiranë, një realitet në kohën më të shkurtër të mundshme”, u shpreh ministri Hasani.
Ai iu drejtua studentëve, duke theksuar se “kjo iniciativë do të shënojë rrugëtimin tuaj profesional në çështjet e Bashkimit Europian dhe bashkëpunimin rajonal”.
“Ky Kampusi në Tiranë dhe Kolegji i Evropës do të jenë të parët në rajonin tonë në hartën e profesionistëve të BE-së. Ju jeni përfituesit e parë të këtij projekti afatgjatë dhe të gjithë ju, që aplikuat dhe erdhët këtu sot, përpiquni për këtë objektiv në jetën tuaj profesionale, për tu përballur me sfidat që ju presin. Besoj se për të gjithë ju që vini nga rajoni, do të ndjeni frymën e Evropës këtu”, theksoi ministri Hasani.























