Ballina Bota

BEOGRAD – Vuçiç mirëpret Xi

BEOGRAD, 8 maj /ATSH-ANSA/- Presidenti kinez Xi Jinping, i cili mbërriti në Beograd dje në mbrëmje është pritur me nderime civile dhe ushtarake nga homologu i tij serb Aleksandar Vuçiç.

“Faleminderit presidentit Xi që zgjodhi Serbinë si një ndalesë në udhëtimin e tij të parë në Evropë në pesë vjet”, tha Vuçiç.

Lideri kinez, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Peng Lijuan, është në fazën e dytë të turneut të tij në Evropë, i cili nisi të dielën e kaluar në Paris dhe do të përfundojë në Budapest.

Të dy presidentët nënvizuan ‘miqësinë e çeliktë’ dhe pikëpamjet e përbashketa që karakterizojnë marrëdhëniet midis Kinës dhe Serbisë, ish-vendit jugosllav që është partneri dhe aleati kryesor i Kinës në Ballkan.

Qëllimi i vizitës së Xi, është të forcojë bashkëpunimin tashmë solid ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve.

Në vetëm pak vite, Kina ka kaluar në vendin e dytë në sektorin e tregtisë, me mbi 6 miliardë dollarë, pas Gjermanisë.

Serbia merr pjesë në programin kinez ‘Rruga e Mëndafshit’ dhe të dyja palët respektojnë integritetin territorial të njëra-tjetrës, ku Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Serbia nuk e njeh pavarësinë e Tajvanit duke respektuar politikën e një Kine të vetme.

Në fund të bisedës mes Vuçiçit dhe Xi, në praninë e tyre do të nënshkruhen rreth 30 marrëveshje dypalëshe.

Xi Jinping vizitoi Beogradin për herë të parë në qershor të vitit 2016, presidenti i parë kinez që vizitoi Serbinë në 32 vjet. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEtiketimi i produkteve me ndikim në energji, sipas standardeve të BE-së
Artikulli tjetërBalla: Goditje e përditshme armëmbajtjes pa leje, burim kryesor i ngjarjeve kriminale