TIRANË, 3 maj/ATSH/ Komisioneri Publik Florian Ballhysa ankimoi të premten vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për të konfirmuar në detyrë prokurorin Valentin Preçi. Komisioneri i kërkon Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të ndryshojë vendimin e KPK-së dhe të vendosë për shkarkimin e Preçit, që sipas ankimit është gjetur me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.
“Ndryshimin e vendimit nr. 730, datë 10.1.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Valentin Preçi”, thuhet në kërkesën e Komisionerit Publik.
Preçi u konfirmua në detyrë në janar të këtij viti, nga një trupë e KPK përbërë nga nga Firdes Shuli kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Olsi Komici anëtar.
Vëzhguesit ndërkombëtarë rekomanduan ankimimin e çështjes, duke e cilësuar hetimin e KPK-së të paplotë. “Nuk duket se mbështetet në provat e paraqitura. Devijon nga standardet tipike të KPK-së dhe nga principet dhe udhërrëfyesi e vendosur nga Kolegji i Apelimit”, thuhet në rekomandim sa i përket vendimit të Komisionit.
Nisur edhe nga ky rekomandim Komisioneri Publik vë në dukje në ankim se nuk ishte dakord me përfundimet e trupës së KPK-së për të tre kriteret.
Ballhysa thotë se sa i përket kriterit të vlerësimit të pasurisë, Preçi ndodhet në mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.
Sa i përket kriterit të profesionalizmit, duke marrë parasysh denoncimet dhe rekomandimin e ONM-së Komisioneri vë në dukje se “veprimet e subjektit të rivlerësimit afektojnë kriterin e aftësisë profesionale”.
Komisioneri Publik po ashtu në kundërshtim me pretendimet e ngritura nga Komisioni dhe vetë Preçi, i gjen problematike kontaktet e prokurorit me disa persona të dënuar apo hetuar për vepra penale të ndryshme. Komisioneri arsyeton se subjekti duhej të ishte cilësuar i papërshtatshëm.
“Në përfundim të sa më sipër, lidhur me kriterin e kontrollit të figurës, Komisioneri Publik, në konsideratë të Rekomandimit të ONM-së, konstaton se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm edhe për kriterin e kontrollit të figurës”, thuhet në ankim.























