Ballina Aktualitet

ONM kundër konfirmimit në detyrë të prokurorit Preçi

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i paraqiti sot Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e konfirmimit në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Valentin Preçi, prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Komisionerët Publikë njoftojnë se, referuar afateve të parashikuara në ligjin nr. 84/2016, po shqyrtojnë në të njëjtën kohë njoftimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Rekomandimin e ONM-së, për subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi.

OMN vlerëson se prokurori Preçi ka probleme me pasurinë dhe duhen verifikime të mëtejshme mbi figurën e tij. Po ashtu OMN vlerëson se ka problematika dhe me konfliktin e interesit.

KPK shpalli të mërkurën më 10 janar vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Valentin Preçi. Vendimi u mor me shumicë votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin.

Konfirmimi i Preçit erdhi pas përballjes dhe shpjegimeve të tij për gjetjet dhe barrën e provës në kriterin pasuror dhe profesionalizmin gjatë dy seancave dëgjimore më 19 dhjetor 2023 dhe të martën më 9 janar. Edhe në seancën e dytë të zhvilluar pas rihapjes së hetimit bazuar në një denoncim, Preçi këmbënguli sërish të kundërshtonte analizën financiare të KPK, duke paraqitur versionin e tij. Në fund, KPK vendosi konfirmimin e tij në detyrë.

Valentin Preçi përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror pranë Prokurorisë së Tiranës.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoçiu: Pr/ligji për shëndetin riprodhues synon kuadër rregullator bashkëkohor
Artikulli tjetërNdryshimet në ligjin për turizmin, rritje e standardeve të shërbimeve