TIRANË, 23 prill /ATSH/ Në Ditën Botërore të Librit nxënësit në të gjitha shkollat e vendit kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara në shkolla si promovime të librave, diskutime, lexime, për të nxitur interesin për librin dhe leximin.
“Dita Botërore e Librit është një kujtesë për vlerën që sjell leximi dhe libri duke na frymëzuar për të tashmen dhe udhëzuar për të ardhmen. Në Ditën Botërore të Librit promovojmë leximin, kulturën dhe edukimin”, tha Manastriliu.
23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor të një kombi.
Kjo datë shënohet në të gjithë botën që nga viti 2003.
/k.s/r.e/






















