TIRANË, 22 tetor /ATSH – I. Vata/ – “Për ligjin për të drejtën e informimit, 61 bashki kanë përmbushur detyrimin ligjor deri në masën 86,2%, çka përbën një tregues mjaft pozitiv për transparencën dhe llogaridhënien e organeve të vetëqeverisjes vendore”, shprehet Komisioneri Publik.
Të dhënat dalin nga raporti “Monitorimi Kombëtar 2018” për zbatimin e ligjit “Për të drejtën e informimit”.
Zyra e Komisionerit i vlerëson maksimalisht gjetjet e “Monitorimit Kombëtar 2018” dhe do t’i mbajë në konsideratë në veprimtarinë e tij.
Po ashtu, Komisioneri shpjegon se “monitorimi u mbështet në 5 kritere bazë, që përbëjnë kushtet për zbatimin e legjislacionit për të drejtën e informimit: koordinatori, programi i transparencës, regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, publikimi i vendimmarrjes dhe pasja e faqes zyrtare në internet. Në dy monitorimet e mëparshme treguesi i zbatueshmërisë ligjore ishte respektivisht: në nivelin 31% për vitin 2016 dhe 71% për 2017”.
Zyra e Komisionerit shton se krahasimi i shifrave flet qartë për angazhimin e Autoriteteve Publike për përmbushjen e dispozitave të ligjit, sidomos për mbikëqyrjen efektive të tij nga Zyra e Komisionerit dhe për rolin e organizatave të shoqërisë civile në këtë proces.
Bashkitë që u renditën në 10 pozicionet e para janë: bashkitë e Korçës, Shkodrës, Tiranës, Durrësit e Lezhës, por edhe ato të Gramshit, Kamzës, Krujës, Roskovecit e Skraparit.
Në raport theksohet fakti i “miratimit të Programit Model të Transparencës për organet e vetëqeverisjes vendore më 10 shtator 2018 nga Komisioneri”, si instrumenti që adreson të gjithë problematikat që edhe ky “Monitorim” konstaton. Njëkohësisht, vlerësohet edhe “kontributi i institucionit për t’i dhënë zë shqetësimeve të ngritura nga aktorët e shoqërisë civile, duke aplikuar edhe sanksione ndaj bashkive”, shprehet Komisioneri. /j.p/



















