Ballina Flash

Mazniku: Bashkitë, pjesë e taskforcës për menaxhimin e sezonit turistik

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku mblodhi sot në një takim drejtuesit e pushtetit vendor për të diskutuar mbi masat e nevojshme që duhen ndërmarrë në prag të sezonit veror turistik, si dhe për menaxhimin e burimeve ujore.

“Në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për të diskutuar bashkë me pushtetin vendor për të lehtësuar punët e përbashkëta. Diskutuam për eficiencën e menaxhimit të burimeve ujore dhe planifikimin dhe zhvillimin më mirë të territorit. Me afrimin e sezonit turistik, bashkitë janë një hallkë e rëndësishme dhe si të tilla do të jenë pjesë e taskforcës së menaxhimit të sezonit turistik”, tha ministri Mazniku, në një postim në rrjetet sociale.

Gjithashtu, sipas Maznikut, diskutim i rëndësishëm ishte edhe përcaktimi i rregullave për të marrë masa parandaluese kundër përhapjes së zjarreve në tokat bujqësore.

“Së bashku do ia dalim të ndihmojmë njëri-tjetrin për t’i kryer punët tona sa më mirë dhe me mbështetjen e qeverisë, pushteti vendor do të sigurojë shërbime më të mira dhe cilësore për qytetarët tanë”, siguroi ai.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLONDËR – BM shtrëngon rregullat për migrantët italianë
Artikulli tjetërCertifikata e Kompetencës Profesionale, DPSHTRR: Mundësi për punësim në tregun e punës