TIRANË, 3 prill /ATSH/ Sot është “Dita Botërore e Gjallesave Ujore”. Administrata Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndan pamje me disa prej specieve më të dashura, por dhe më të rëndësishme të ujërave tona.
Po kështu edhe AdZM Vlorë, në kuadër të kësaj dite, sjell në kujtesën e publikut disa fakte interesante lidhur me Qendrën e Rekuperimit dhe Rehabilitimit të Breshkave Detare, Vlorë. Aty të pasionuarit pas gjallesave detare do të mund të gjejnë diorama, instalacione dhe panele informative që tregojnë mbi jetën e breshkave dhe rreziqet nga të cilat na duhet t’i mbrojmë.
Breshkat detare janë një ndër speciet më të rrezikuara në botë. Ato janë të kërcënuara nga ndotja, plastika, ndryshimet klimatike, shkatërrimi i habitatit, përplasja me mjetet lundruese apo ngecja në rrjetat e peshkatarëve.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura informon se nga rreth 7 specie breshkash detare që gjenden në botë, 3 prej tyre janë hasur edhe në Shqipëri. Këto breshka janë: Breshka kokëmadhe e detit (Caretta caretta), Breshka e gjelbër e detit (Chelonia mydas), Breshka lëkurore (Dermochelys coriacea).

Caretta caretta njihet ndryshe dhe si breshka e zakonshme e ujit, e cila ka një gjatësi karapaksi mesatarisht 80-90 cm dhe arrin një peshë deri në 100 kg. Kjo specie shtrihet në të gjithë Mesdheun, por folenizon kryesisht në Mesdheun qendror-perëndimor. Në vendin tonë janë regjistruar raste folenizimi në Divjakë dhe Vlorë. Caretta caretta përshkon distanca shumë të gjatë për t’u ushqyer, folenizuar apo për të kaluar stinën e dimrit.























