Ballina Aktualitet

Ivanoviç: Siguria rajonale, parakusht për prosperitetin e mëtejshëm të secilit vend

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviç u shpreh sot gjatë një konference për shtyp pas takimit me homologun shqiptar, Igli Hasani në Podgoricë se takimi i sotëm ishte konfirmim i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, por edhe një shtysë shtesë për dialogun politik në nivele të larta.

Ivanoviç u shpreh se me Hasanin kishin biseduar për çështjet më të rëndësishme të marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimin rajonal, perspektivën e përbashkët evropiane dhe NATO-n.

“Përveç bashkëpunimit thelbësor në nivel dypalësh, ne bashkëpunojmë ngushtë dhe intensivisht edhe përmes përmbushjes së detyrimeve që dalin nga anëtarësimi në NATO”, tha Ivanoviç.

“Si vende që ndajnë të njëjtën perspektivë evropiane, ne ramë dakord që çdo sukses i njërit prej vendeve është një lajm i mirë edhe për të tjerët”, tha Ivanoviç.

Ai theksoi se një rajon i sigurt dhe i qëndrueshëm është parakusht për prosperitetin e mëtejshëm të secilit vend, por edhe për të ardhmen e përbashkët evropiane.

“Është shumë e rëndësishme që ne t’i qasemi bashkëpunimit të mëtejshëm në rajon dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve, të udhëhequra nga vizioni i anëtarësimit në BE dhe kultivimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha Ivanoviç.

Ai tha se u bisedua edhe për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

“Ne do të fokusohemi veçanërisht në realizimin e projekteve të përbashkëta, veçanërisht ato nga marrëveshja e nënshkruar në seancën e përbashkët të dy qeverive, që kanë të bëjnë me ndërtimin e urës mbi Bunë dhe menaxhimin e përbashkët të qëndrueshëm të peshkimit në rajonin e liqenit të Shkodrës dhe Bunës”, tha Ivanoviç.

Ai shtoi se temë e takimit ishin projektet e përbashkëta infrastrukturore të cilat, do të rrisin valorizimin e potencialit zhvillimor në shumë fusha.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKINEMA – Nominimet kryesore për çmimet BAFTA
Artikulli tjetërHasani: Minoriteti malazez ka vendin dhe vlerën që i takon