TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryetarja e bashkisë Durrës, Emiriana Sako thirri sot mbledhjen urgjente të Komitetit Drejtues për bashkërendimin e veprimtarisë së institucioneve përgjegjëse në nivel vendor, dhe referimin e rasteve të dhunës në familje.
Në qendër të diskutimeve me të pranishmit, drejtues të institucioneve të rëndësishme rajonale e lokale si dhe drejtues të organizatave të shoqërisë civile, u vendos forcimi i masave për mbrojtjen e viktimave.
Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e humbjes së jetës së një gruaje nga Njësia Administrative Sukth, Sako vuri theksin në aksesin në shërbime cilësore e gjithëpërfshirëse për viktimat e dhunës në familje si dhe në forcimin e mekanizmave në nivel lokal.
Sako siguroi se “Bashkia Durrës nëpërmjet shërbimeve sociale dhe gjithë kapaciteteve të saj do të jetë pranë familjes së viktimës”.
“Në bashkëpunim me institucionet anëtare të mekanizmit koordinuam planin e ndërhyrjes për të mbështetur nevojat e familjes me shërbimet e nevojshme dhe përshpejtimin e procedurave si dhe për mbështetjen maksimale të fëmijëve”, u shpreh ajo.
/m.m/












