TIRANË, 7 dhjetor/ATSH/ Partia e Lirisë reagoi sot pas miratimit të buxhetit për vitin 2024 në seancë plenare.
Përmes një deklarate për mediet, nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho bëri të ditur se buxheti i arsimit nga sot do të jetë 2.29 % PBB, duke mbetur sërish buxheti më i ulët në rajon, në një kohë kur arsimi është në kushtet e një emergjence kombëtare.
Ajo solli në vëmendje raportin e fundit të PISA-s, në të cilin sipas saj, Shqipëria renditet në fund për cilësinë e arsimit parauniversitar, në rang botëror.
“Shqipëria ka humbur në matematikë 69 pikë, në letërsi 47 pikë, në shkencë 41 pikë. Me këtë ritëm rrezikojmë që shumë shpejt analfabetizmi funksional të kthehet në problem masiv. Pyetja që shtron çdo qytetar sot është pse arsimi shqiptar është katandisur në këtë pikë?”, u shpreh Xhixho.
Xhixho renditi si shkaktarë të këtij dështimi qeverinë, që sipas saj nuk mbështet me buxhet arsimin dhe nuk financon kërkimin shkencor.
“Ajo që i mungon Shqipërisë është një qeveri e përgjegjshme, që e bën arsimin prioritet. Rezultatet e testit PISA janë këmbanë alarmi. Ndaj institucionet shtetërore, Ministria e Arsimit, dhe qeveria duhet së pari të japin llogari për këtë dështim të paralajmëruar. Ia kanë detyrim shqiptarëve që paguajnë taksat dhe kanë zgjedhur t’i rrisin fëmijët e tyre në këtë vend”, deklaroi Xhixho.












