TIRANË, 3 tetor /ATSH/ – Gjetja e rrugëve të bashkëpunimit midis Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe agjencisë franceze të lajmeve, AFP, ishte në qendër të takimit mes drejtoreshës së përgjithshme Valbona Zhupa dhe shefes së Zyrës për Ballkanin, Camille Bouissou.
Bouissou vizitoi sot Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ndërsa ndodhet në vizitën e saj të parë në Tiranë.
Përshtypjet e saj për Shqipërinë, ishin edhe tema e parë e diskutimit, ndërkohë që Zhupa e informoi Znj. Bouissou për bumin turistik që Shqipëria njohu këtë vit.
Zhupa dhe Bouissou u ndalën gjerësisht në çështjen e fake news, një fenomen shqetësues në median globale si dhe mënyrat për të thelluar bashkëpunimin në përballjen e domosdoshme me fenomenin global të lajmeve të rreme.
Palët ranë dakord se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë mes agjencive të lajmeve në verifikimin dhe zbulimin në kohë të lajmeve të rreme është thelbësor në këtë përballje.
Për shkak se AFP është agjencia lider në botë për kontrollin e lajmeve të rreme, në takim u ra dakord që AFP të kontribuoj nëpërmjet trajnimeve online me gazetarët në lidhje me kontrollin dhe verifikimin e lajmeve të rreme, apo të tjera trajnime për mjedisin dhe energjinë e gjelbër.
Më tej gjatë takimit, dy bashkëbisedueset nënvizuan faktin e marrëdhënieve shumë të mira mes dy agjencive si edhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi të vendosur shumë vite më parë.
Temë tjetër e takimit ishte dhe deontologjia e raportimit, veçanërisht në lidhje me trajtimin e figurës së gruas në raportim. /a.jor.























