TIRANË, 11 tetor /ATSH/ – Në Modena u inaugurua hapja e Shkollës së parë shqipe.
Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.
“Shoqata Nënë Tereza“ ka punuar dhe bashkëpunuar me komunitetin shqiptar, duke promovuar në një vit iniciativa të ndryshme, por pa harruar asnjëherë objektivin parësor: hapjen e shkollës shqipe.
Themeluesit e kësaj shkolle theksojnë se, “ndër mësimet më të vlefshme që përfaqësuesit më të spikatur të Rilindjes tonë Kombëtare na kanë lënë është ruajtja dhe trashëgimia e gjuhës dhe kulturës tonë në Shqipëri dhe jashtë saj. Këtë mision, Diaspora anë e mbanë po e realizon nëpërmjet hapjes së shkollave dhe klasave shqipe, ku mësohet gjuha dhe kultura shqiptare. Duke marr parasysh që pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare ndodhet në emigracion, kjo prirje është ajo e duhura, për të mos u gjetur pas disa vitesh, që femijët tanë të lindur këtu, të mos njohin asgjë nga e kaluara jonë, duke humbur kështu dhe rrënjët e tyre”.
Ky objektiv u realizua nga puna dhe vullneti i drejtuesve të shoqatës: Elona Zero, Griselda Shehaj, Suela Delaj, Rigels Miska, Griselda Elezi, nën drejtimin e Danaida Delaj, të cilët falenderojnë për mbështetjen dhe bashkëpunimin, mësuesit Gjergj Doda, Monika Bekolli, Daniela Dvorani, Edlira Milka. Gjithashtu, falenderojnë dhe prindërit e fëmijët, të cilët përqafuan me shumë dëshirë e entuziazëm këtë iniciativë, duke dhënë kontributin e duke u ndier njësh me ne si në një familje të madhe.
/gj.mima/j.p/















