Ballina Bota

GREQI – Zjarret ”pushtojnë” edhe Olimpin antik

ATHINË, 29 korrik /ATSH-DP/ – Ndërsa temperaturat e larta të verës vazhdojnë në Greqi, zjarret e shkurreve dhe pyjeve shpërthyen të shtunën pranë vendit antik të Olimpit, në gadishullin e Peloponezit.

Autoritetet e mbrojtjes civile urdhëruan evakuimin e disa fshatrave disa kilometra në veriperëndim të Olimpit si një masë paraprake, përmes mesazheve me tekst paralajmërues dhe Twitter.

Rrugët në këtë zonë ishin gjithashtu të mbyllura.

Shërbimet e urgjencës thanë se ishin vendosur 29 ekipe zjarrfikëse, pesë avionë dhe një helikopter.

Zjarret shpërthyen në shumë pjesë të vendit këtë muaj pasi temperaturat u rritën mbi 40 gradë Celsius.

Për herë të parë në më shumë se një javë, autoritetet vlerësuan rrezikun e zjarrit në pyje si pak më të ulët të shtunën, por shumë rajone ende konsiderohen të rrezikshme.

Pas një vale të zgjatur të nxehtit dhe thatësirës, ishulli i Rodosit dhe zona përreth qytetit të Anchialos ishin ndër zonat më të prekura.

Zjarret atje ishin shuar ose të paktën ishin vënë sot nën kontroll./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPërkujtohet 110-vjetori i lindjes së prof. Koço Gliozhenit, Manastirliu: Themeloi shërbimin e Obstetrikë-Gjinekologjisë
Artikulli tjetërBalla: Lufta për spastrimin e vatrave të krimit brenda Policisë, vetëm sa ka nisur