TIRANË, 27 korrik/ ATSH/ Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, përmes rrjeteve sociale njofton se po përgatitet për mbajtjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Pavarësisht se Kryesia e Partisë Demokratike vendosi ta shfuqizojë thirrjen e Këshillit Kombëtar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm, vetë Bardhi përmes një reagimi në rrjetet sociale ka konfirmuar se Këshilli Kombëtar do të mbahet ashtu siç është parashikuar në thirrjen e bërë prej tij, këtë të enjte (sot) ora 19:00 dhe do të jetë online.
Në reagimin e tij, Bardhi i është përgjigjur dhe Kryesisë së PD, duke theksuar se e ardhmja e Partisë Demokratike është mbi çdo interes personal.
“Duke u bërë gati për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD. E ardhmja e PD dhe mbi gjithçka, mbi çdo hall e interes personal!”, deklaron Bardhi.
Kryesia e Partisë Demokratike më herët e cilësoi si të sajuar rregulloren me të cilën Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike pretendon të thërrasë Këshillin Kombëtar. Madje sipas Kryesisë së PD, thirrja e Këshillit Kombëtar nga Bardhi mbart interesa personale politike.
Gazment Bardhi, Sekretar i Përgjithshëm i PD së bashku me një grup deputetësh dhe mbështetjen e një pjese të Këshillit Kombëtar nuk njohin mbajtjen e zgjedhjeve brenda PD për kryetarin e ri të kësaj force politike në datën 29 korrik. Për këtë arsye Bardhi ka thirrur dhe Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike. Nga krahu tjetër, Kryesia e Partisë Demokratike i hoqi vulën e PD-së Bardhit, ndërsa ia besuan Indrit Sefës. Ndërkohë që Kryesia vendosi të mos njohë thirrjen e Bardhit për mbledhjen e Këshilli Kombëtar duke insistuar që zgjedhjet brenda partisë do të mbahen në datën 29 korrik 2023.
Duke u bërë gati për mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ✌️ E ardhmja e PD dhe 🇦🇱 mbi gjithçka, mbi çdo hall e interes personal! pic.twitter.com/3lUqBwGTKt
— Gazment Bardhi (@GazmentBardhi) July 27, 2023
/r.e/











