TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se “duhet t’i japim mbështetjen maksimale SPAK, dy prokurorëve të cilët po merren me hetimin dhe t’u kërkojmë llogari atyre që të bëjnë më shumë”.
Në një prononcim për mediet pas miratimit nga kuvendi të kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj, Tabaku tha se ‘besoj se kjo ka qenë një kauzë e drejtë e PD-së ka qenë një kauzë e drejtë e opozitës që për 6 vite me insistim me qëndrueshmëri në anën e së drejtës ka arritur të çojë përpara drejtësisë tre ministra të kësaj qeverie”.
Deputetja e PD-së tabaku u shpreh se “duke nisur nga sot u mbyll një kapitull dhe shpresoj të hapet një kapitull i ri për drejtësinë shqiptare për të çuar përpara drejtësisë të gjithë të akuzuarit e tjerë”.
E pyetur nëse ka emra edhe nga opozita në dosjen e inceneratorëve, Tabaku tha se “nuk kam lexuar asnjë emër nga opozita të përfshirë në atë dosje dhe mendoj se ju si media mund t’i bëni një shërbim të madh publikut dhe të fokusoheni tek mazhoranca”.
“Ta them me siguri që nuk ka asnjë emër nga opozita. Të fokusohemi tek vendimmarrja e mazhorancës. Ky është një shembull si funksionon shteti i kapur në Shqipëri. Ky është një shembull se si ngrihet e gjithë qeveria në këmbë nga kryetarët e bashkive, ministrat e Këshilli i Ministrave për të ndihmuar dy biznesmenë që nuk kishin asnjë kapital dhe asnjë aset”, tha Tabaku.
Tabaku vuri në dukje se “sot ky është lajmi dhe opozita i qëndroi në këmbë për 6 vite duke e denoncuar këtë aferë. Nuk besoj që nuk ka asnjë lajm tjetër në ditën e sotme”.
/k.s/r.e/












