Ballina Ekonomi

Ulen në 3.09% yield-et e bonove 12-mujore

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Interesat e bonove 12-mujore të thesarit shënuan rënie në ankandin e zhvilluar së fundmi.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e parë të muajit korrik yield-i mesatar i ponderuar i këtyre instrumenteve shënoi nivelin 3.09 %, i njëjtë me ankandin e fundit të muajit qershor.

Yield-et e bonove të thesarit kanë ndjekur një tendencë të vazhdueshme në rënie në gjysmën e parë të vitit 2023. Kjo tendencë i detyrohet rënies së inflacionit, frenimit të rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe likuiditetit të lartë në tregun financiar.

Nga 5 miliardë lekë, që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, shuma totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në më shumë se 8 miliardë lekë.

Rënia e yield-it të bonove ka një ndikim pozitiv jo vetëm mbi kostot e huamarrjes së qeverisë, por edhe në kreditë afatgjata në lekë të sektorit privat. Kjo po përkthehet në më shumë frymëmarrje për huamarrësit në lekë, pas rritjes së fortë që u shënua sidomos në pjesën e dytë të vitit të kaluar.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMuzhaqi: Emri i Shqipërisë po jehon nëpër botë falë sportistëve të talentuar
Artikulli tjetërOpozita: Qeveria nuk i ka kapacitetet administrative për të kontrolluar industrinë e kanabisit