BEOGRAD, 15 qershor /ATSH-TANJUG/ – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se situata në Kosovë ishte “tmerrësisht e vështirë”, por se Beogradi po përpiqej të ruante paqen, pothuajse me çdo kusht dhe se ai shpresonte se BE-ja dhe SHBA-ja do të kishin forcë të mjaftueshme për të arsyetuar me kryeministrin Kurti.
”Kjo është një situatë tmerrësisht e vështirë për ne dhe po përpiqemi të ruajmë paqen pothuajse me çdo kusht, por kemi të bëjmë me njerëz që duan të mos ketë paqe me çdo kusht… Shpresoj se BE-ja dhe SHBA-ja do të kenë forcë të mjaftueshme për të arsyetuar me ata që po veprojnë në mënyrë irracionale, asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp me presidenten sllovene, Natasa Pirc Musar.
“Nëse nuk është kështu, çfarë mund të bëni?… Ne do të mbrojmë popullin tonë dhe vendin tonë. Kjo është ajo që njerëzit duhet ta kuptojnë”, shtoi Vuçiç.
Ndërkohë, në një diskutim me përfaqësuesit e BE-së dhe Quint-it, sot në mëngjes, Vuçiç u kërkoi atyre të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të ndaluar kryeministrin e Prishtinës Albin Kurti që të nisë një konflikt të ri në Ballkan.
”Kam folur me përfaqësuesit e BE-së dhe Quint-it. U kërkova të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të ndaluar Kurtin të nisë një konflikt të ri në Ballkan”, shkroi Vuçiç në një postim në Instagram pas takimit.
Vuçiq u takua me përfaqësues të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë dhe kreun e Delegacionit të BE-së në Serbi./ a.jor.






















