Ballina Bota

MALI I ZI – BE: Qeveria e re të përparojë në procesin e anëtarësimit

BRUKSEL, 14 qershor /ATSH-ANSA/ – Bashkimi Europian pret me interes konstituimin e një parlamenti të ri dhe formimin e një qeverie të re, e cila do të jetë në gjendje dhe do të marrë përsipër të çojë në një kohë sa më të shkurtër reformat e kërkuara nga BE, deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe Komisioneri Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, në një deklaratë.

“Ne nxisim partitë politike të interesuara që të përqendrohen me shpejtësi në ndërtimin e konsensusit rreth veprimeve prioritare të nevojshme për të çuar përpara Malin e Zi në rrugën e tij drejt BE-së, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës”, thuhet në këtë deklaratë.

Borrell dhe Varhelyi kujtojnë gjithashtu vlerësimin e misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, parlamentit Evropian dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili i përkufizoi zgjedhjet si “konkurruese, të mirëmenaxhuara dhe efektive”, pavarësisht se ato ”u zhvilluan në kuadrin e një krize të zgjatur institucionale dhe kushtetuese dhe një mjedisi të polarizuar mediatik”.

“Misioni i OSBE/Odihr ka nënvizuar edhe një herë se kuadri ligjor duhet të rishikohet plotësisht për të adresuar një sërë boshllëqesh dhe mospërputhjesh”, nënvizon Brukseli, duke vënë në dukje një kritikë të mëtejshme në pjesëmarrjen e grave në procesin politik, e cila ”mbetet ende e ulët dhe është minuar nga përpjekjet e pamjaftueshme shtetërore dhe publike për të kapërcyer stereotipet gjinore”./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE: Masa të përkohshme në varësi të hapave që merr qeveria Kurti
Artikulli tjetërNdotje e lartë mjedisore në impiantin e ujërave të zeza në Durrës