Ballina Flash

Rikthehet Java e Kulturës Italiane pas suksesit të edicionit të parë

TIRANË, 30 maj/ATSH/ Ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci organizoi sot një ceremoni me rastin e përurimit të “Javës së Italisë”.

Pas suksesit të edicionit të parë të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, prej datës 1 e deri më 7 qershor 2023, kultura italiane rikthehet në Shqipëri me më shumë se 60 evente e nisma. Muzika, sporti, kuzhina, shkenca, opera, arkitektura dhe dizajni do të jenë vetëm disa nga vlerat italiane protagoniste të një udhëtimi që do të përshkojë Shqipërinë nga Veriu në Jug.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë prezantuese të “Javës Italiane”, tha se Shqipëria vlerëson të gjitha virtytet italiane dhe në këtë rast Italia flet me gjuhën e ekselencës.

“Ne jemi vërtet krenarë që kemi arritur ta çojmë përpara edicionin e dytë të Javëve të Kulturave Ndërkombëtare me një program kaq të ngjeshur, kaq ambicioz, por nga ana tjetër dhe kaq të dobishëm jo vetëm për jetën kulturore por edhe për të gjitha marrëdhëniet e reja që, siç e pamë edhe vjet, fillojnë e lidhen pas përfundimit të këtyre javëve”, tha Margariti.

Në programin e Javës Italiane vlejnë për t’u përmendur: kremtimi i Festës së Republikës, grupi muzikor Planet Funk, Festivali i Shkencës, dita kushtuar arbëreshëve, rikthimi i Pizza Village, maratona për autizmin si edhe vepra murale e realizuar nga Tellas si shprehje e miqësisë mes Italisë dhe Shqipërisë. Nuk do të mungojnë as mbrëmjet kushtuar teatrit, operës dhe muzikës me shfaqje në sheshe dedikuar Verdit, koncerti i instrumentistit të njohur të trombës, Paolo Fresu dhe shfaqja në kujtim të gjeniut Enio Morricone.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak“Perlë mesdhetare”, Rama: Gjiganti mediatik CNN e rendit Shqipërinë mes 12 destinacioneve të verës
Artikulli tjetërAMF: Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit, 6.8 miliardë lekë