TIRANË, 26 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mirëpriti në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) 56 studentë nga Universiteti i Harvardit, të cilët vizitonin për herë të parë Shqipërinë.
Vizita e studentëve të Harvardit ishte pjesë e një turi në 6 vende të Ballkanit Perëndimor.
Të rinjtë nga e gjithë bota u njohën me historikun dhe veprimtarinë e Qendrës për Hapje dhe Dialog si edhe mësuan më shumë mbi aspiratat e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.
Studentët u njohën edhe me marrëdhëniet e Shtetit Shqiptar në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ky takim në COD u zhvillua në bashkëpunim me Regional Youth Cooperation Office (RYCO).
Përfaqësuesit e RYCO-s në Shqipëri prezantuan përpara studentëve themelimin e kësaj organizate, përvojën e tyre personale në shoqërinë civile, si edhe një studim që kjo zyrë ka bërë në lidhje me perceptimet e të rinjve mbi të kaluarën dhe paqen të quajtur “E ardhmja e përbashkët”.
Si rezultat i këtij studimi, gjysma e të rinjve shqiptarë mendojnë se integrimet në BE janë faktori më i rëndësishëm në krijimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
/gj.m/r.e/

































