TIRANË, 16 maj/ATSH/ Në kuadër të projektit “Rijetësimi i Lagjeve” organizuar nga Qendra Marrëdhënie dhe Këshilli Mjedisor i Tiranës, shoqata DoART sjell një tjetër projekt. Kësaj here me simbolin e dallëndysheve, zogj shtegtarë që gjithnjë rikthehen tek foleja e tyre, artistët e DoART i kanë dhënë jetë mureve të një kopshti në lagjen e Laprakës.
Artistët e përfshirë në këtë projekt janë Iris Canaj, Franko Dine e Alba Canaj. DoART sjell një album fotografik duke prezantuar punën e tyre, por edhe gjendjen në të cilën gjendej kopshti më parë.
Muralja e dallëndysheve i shtohet një numri të madh muralesh që sa vijnë e shtohen në kryeqytet, të cilat përtej estetikës e atraksionit, hyjnë në të përditshmen e komunitetit duke u bërë dhe adresime të reja në lagjet që ndryshojnë dita-ditës.
Përpara dallëndysheve, DoART solli edhe muralen e djalit futbollist në lagjen “Ali Demi”.
/r.e/































