Ballina Aktualitet

Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Sot festohet Dita e Evropës, 73 vite nga deklarata e Robert Shuman ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, i cili prezantoi idenë e tij për një formë të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.

2023 është Viti Evropian i Aftësive, prandaj në Ditën e Evropës, Delegacioni i BE-së në Tiranë do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë të rinjve shqiptarë, të cilët falë mbështetjes së BE-së kanë zhvilluar aftësitë e tyre dhe zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri duke nisur biznese apo projekte të suksesshme.

Delegacioni i BE-së në Tiranë ka zgjedhur të festojë Ditën e Evropës në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar të Dajtit së bashku me shtetet anëtare të BE-së, përfituesit e projekteve të BE-së, adhuruesit e natyrës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ambasadorja e BE-së Christiane Hohmann është shprehur krenare që: “Shoh flamurin e Bashkimit Evropian në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, që simbolizon mbështetjen dhe përkushtimin tonë për të ardhmen Evropiane të Shqipërisë”.

Më 9 maj 1950 u bë lëvizja e parë drejt krijimit të asaj, që sot njihet me emrin Bashkimi Evropian. Atë ditë në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi para gazetarëve nga e gjithë bota një deklaratë, që i bënte thirrje Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe vendeve të tjera evropiane, të bashkonin prodhimin e qymyrit dhe çelikut, si “themeli i parë konkret i një federate të ardhshme evropiane”.

Ai propozoi krijimin e një institucioni evropian mbikombëtar, i ngarkuar me administrimin e industrisë së qymyrit dhe çelikut, pikërisht sektori që në atë kohë ishte baza e gjithë fuqisë ushtarake. Për këtë arsye, gjatë Samitit të Milanos, në vitin 1985, udhëheqësit e BE-së vendosën ta festojnë 9 Majin si “Dita e Evropës”.

Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Europës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist. Për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane. Rruga e vetme për t’u ndarë nga izolimin tragjik dhe prapambetjen e thellë ekonomike, u njësua me integrimin evropian, përmes ndërtimit të demokracisë dhe ekonomisë së tregut.

Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Bashkimin Evropian në vitin 1990, të dy palët nënshkruan Marrëveshjen për Tregtinë dhe Bashkëpunimin në vitin 1992, e cila konkretizoi për herë të parë përpjekjet shqiptare për afrim dhe ndihmë nga Bashkimi Evropian.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakErvin Demo: Berati do të bëhet qendër atraksioni për të gjithë rajonin
Artikulli tjetërLuiza Gega uron Veliajn: Ti ke dashurinë dhe vullnetin për punën