TIRANË, 2 tetor /ATSH/ – “SHBA janë partneri ynë strategjik, ndaj forcimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve është i një rëndësie vitale për ne”, deklaroi Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një takim në Uashington, në Senat me senatorin Roy Blunt, zëvendëskryetar i Konferencës të Senatorëve Republikanë.
“Angazhimi i SHBA në rajonin tonë mbetet kyç edhe për të ardhmen, në mënyrë që të konsolidohen arritjet e deritanishme, si në drejtim të stabilitetit e sigurisë ashtu edhe të përparimit të demokracisë e prosperitetit. Ndaj ne mbështesim fuqishëm politikën e dyerve të hapura të NATO-s, dhe pas anëtarësimit të Malit të Zi vlerësojmë se edhe anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ishte një arritje tepër pozitive për të ardhmen e të gjithë rajonit tonë”, u shpreh Presidenti Meta.
Në këtë drejtim të dy bashkëbiseduesit shprehën dëshirën që Parlamenti i Maqedonisë të marrë përgjegjësitë e duhura përmes bashkëpunimit për t’iu përgjigjur aspiratës legjitime të shumicës së qytetarëve për anëtarësim në NATO e BE.
/gj.mima/j.p/






















