Ballina Aktualitet

Meta: Kandidatët e primareve janë të qytetarëve

TIRANË,7 mars/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se kjo parti ka bashkëpunim me Berishën për këshillat bashkiakë.

Në një konferencë për mediet, Meta tha se ka një marrëveshje historike me PD-në sa i takon edhe garës për këshillat bashkiakë.

“Kandidatët nuk janë të Sali Berishës, janë të primareve, një proces historik që ka ndodhur në Shqipëri për herë të parë. Një proces i aplikuar me shumë guxim dhe kurajo në një shtet që udhëhiqet nga një klikë mafioze që të vetmin qëllim ka korruptimin e opozitës. Pra procesi i primareve, ku morën pjesë me dhjetëra-mijëra demokratë në të gjithë vendin, tashmë ka nxjerrë superkandidatë që nuk i takojnë më Sali Berishës dhe as demokratëve, por të gjithë qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Nuk ka mekanizëm, hile, që i ndalon superkandidatët të triumfojmë në 14 maj”, deklaroi Meta.

Duke folur për koalicionet me Berishën, Ilir Meta deklaroi se i vetmi kusht për koalicionin me Berishën është që të mbrohet liria e qytetarëve shqiptarë ndaj Kryeministrit Edi Rama.

“Ne jemi online me Berishën dhe me kandidatët e Partisë së Lirisë, me gjithë opozitarët. Shikoni raportet që merren me qeverisjen vendore, vetëm një bashki plotëson kriteret e transparencës. Zoti e shpëtoi Shkodrën nga Rilindja, që drejtohet nga Bardh Spahia. Të gjithë bashkitë e tjera janë pus i errët për qytetarët ku në shumicën e tyre vetëm vidhet. Në shumicën e rasteve këto këshilla nuk mblidhen fare. Kështu që duhet të jemi të qartë, marrëdhënia jonë me PD dhe opozitaret të vërtetë, është në interes të qytetarëve. Shqipëria do e ndjejë dallimin pas votës që do japin në 14 maj. Këshillat bashkiakë do jenë simbol i transparencës”, tha ai.

Duke folur për vulën e PD-së, Meta shtoi ndër të tjera se Berisha është vetë vula e gjallë e PD.

“Berisha është vetë vula e gjallë e PD, në kuptimin e frymëzimit dhe të gjithë aspekteve të tjera pozitive. Në 6 mars nuk kam qenë në koalicion me zotin Berisha, sepse nuk kam qenë kryetar. Megjithatë jam krenar që firmosa për t’i dhënë mundësi Shqipërisë, shqiptarëve dhe të gjithë botës se kush është opozita e vërtetë, opozita që duan shqiptarët që ishin të tradhtuar nga opozita false që i fali reformën në drejtësi Ramës”, shtoi Meta.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBAGDAT – Baerbock nis vizitën zyrtare në Irak
Artikulli tjetërKosovë, ndahen 45 bursa për studimet master në shtete të BE-së