TIRANË, 17 shkurt/ATSH – I. Vata/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku i akordoi Certifikatën e Karrierës komisarit Shkëlqim Nezaj, me detyrë shef seksioni për Komandën dhe Koordinimin, në Sektorin e Sallës së Komandimit.
Gjatë ditës së sotme, në ambientet e DVP Tiranë, drejtori vendor i Policisë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj i dorëzoi komisar Shkëlqim Nezajt, me rastin e daljes në pension, Certifikatën e Karrierës “Për merita të veçanta, përkushtimin e treguar, në përmbushjen cilësore të detyrave dhe kontributin e dhënë gjatë viteve të punës, në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Drejtor Vocaj ka falënderuar dhe vlerësuar kontributin e Nezajt, në radhët e Policisë së Shtetit, i cili falë përkushtimit, korrektësisë dhe profesionalizmit ka arritur rezultate të larta në punë.
Komisar Shkëlqim Nezaj falënderoi drejtorin e Përgjithshëm për certifikatën e akorduar, si shenjë respekti dhe vlerësimi për punën e tij. Gjithashtu, ai falënderoi Drejtorin Vendor të Policisë Tiranë, kolegët dhe stafin e tij, për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin në punë.
/r.e/






















