TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Muzeu i Artit Mesjetar Korçë ka prezantuar sot në rrjetet sociale një nga ikonat e fondit të tij.
Bëhet fjalë për ikonën “Kryeengjëlli Mihail”, e cila vjen nga Opari i Korçës.
Në panelin e madh paraqitet kryeengjëlli, me krahë, si mbrojtësi i kishave bizantine. Vepra është e një cilësie të lartë artistike. Ky tip ikonografik i takon periudhës të Paleologëve.
Kryeengjëlli paraqitet në pamje frontale me shpatën në dorën e djathtë dhe globin në të majtën. Ka veshje luftarake dhe tunikë të kuqe. Pjesët e mishta janë modeluar me kafe të lehtë dhe dritat finale pas një sërë tonesh të buta janë realizuar me të bardhe. Sfondi i argjendtë është tipik i shkollës maqedonase.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, u përurua më 24 prill 1980. Ai është një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë e më gjerë. Fondi i tij ka mbi 7 mijë objekte kulti e arti, kryesisht ikona.
/gj.m/r.e/





















