TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me Lidhjen Demokratike të Grave të Shqipërisë, gjatë të cilit shprehu mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë dhe japin në përpjekjet e kësaj partie, për rivendosjen e pluralizmit politik.
“Për një seri shkaqesh, PD-ja prej 10 vitesh është në opozitë. Por ky dhjetëvjeçar solli një fatkeqësi të madhe kombëtare. Se një parti në opozitë mund të rrijë edhe 10-12 vite. Ndodh në vendet demokratike ku qeveritë performojnë. Por kjo qeveri pas 10 vitesh ia doli të vendosë monizmin në Shqipëri, ia doli që kryeministri i vendit të vendosë nën kontroll të gjitha pushtetet, ia doli të shndërrojë drejtësinë në një degë të ekzekutivit dhe për fatin më të keq të vendosë kontroll dhe mbi opozitën”, theksoi Berisha.
Në këto përpjekje, shtoi Berisha, ai nuk qe i vetëm.
“Në këto përpjekje për fatin më të keq, ai pati mbështetje të fuqishme të personave shumë të fuqishëm me të cilët projektoi shkatërrimin e opozitës. Për fat të keq, këta persona kësaj here ishin nga partneri ynë kryesor, vendi që frymëzon më shumë se çdo tjetër për pluralizëm, kontroll pushtetesh, liri dhe të drejta qytetarësh, vendi që ka bërë më shumë se kushdo tjetër për lirinë e shqiptarëve”, nënvizoi Berisha.
Lidhur me çështjen McGonigal, Berisha u shpreh se “ky superskandal së pari është një akt i mirëfilltë armiqësor ndaj SHBA që kurrë një shqiptar nuk mund ta ndërmarrë. Ata janë përgjegjësi numër 1 për lirinë e botës, për sigurinë e NATO-s, ata kanë aleanca të tjera përveç NATO-s në Paqësor e tjerë me radhë dhe ky njeri sikur të ishte Llukashenko, u korrupton njërin nga njerëzit më kryesorë të kundërzbulimit dhe pse e korrupton, për të luftuar opozitën në vendin e tij”.
/k.s/












