TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur sot se, harta e prodhimeve bujqësore “Made in Albania” gjatë vitit 2022, shënoi rezultate pozitive thuajse në të gjithë nënsektorët e saj.
Referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi i ullirit, regjistroi një rritje disa herë më të lartë se produktet e tjera, me afro 39 % krahasuar me një vit më parë.
Nëse në vitin 2021 u prodhuan 110 mijë ton ullinj, përgjatë vitit që lamë pas, prodhimi i kësaj kulture të rëndësishme për ekonominë rurale, tha ministrja Krifca, arriti në 152.624 tonë.
“Politikat tona paralelisht mbështetjes për zhvillimin e prodhimit të ullirit do të adresojnë orientimin e duhur për rritjen e cilësisë dhe certifikimit me qëllim hapjen e tregjeve të reja për rritjen e eksporteve”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, tregues në rritje të prodhimit gjatë 2022 shënuan edhe agrumet, ndër të cilat portokallët, mandarinat, limonët, etj, të cilat regjistrohen me një rritje 9 %, krahasuar me vitin 2021.
Gjithashtu prodhimi i mjaltit është rritur me 6 %, si rezultat i shtimit të numrit të koshereve dhe të bletërritësve ndër vite, falë politikave të subvencionimit përmes Skemës Kombëtare dhe shumë shpejtë edhe të programit IPARD III.
Ndërkohë, me një kapërcim më të moderuar rritje janë edhe prodhimet e pemëve frutore me 5 %. Prodhimi i grurit gjithashtu u rrit me 4 % si dhe vreshtaria me 3 % më shumë për të mos harruar rritjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme që regjistrojnë prodhimet e perimeve në serra.
Intensifikimi i mbështetjes që ndërmori qeveria për subvencionimin e fermerëve për mbjelljen e grurit pritet t’i japë rezultatet gjatë 2023-shit, ndërsa konsolidimi i skemës së mbështetjes për naftë pa taksa për bujqësinë, është reflektuar në uljen e kostove dhe rritjen e përgjithshme të prodhimit bujqësor vendas.
“Politikat tona synojnë mbështetjen e fermerit, rritjen e prodhimit vendas, të eksporteve, përmirësimin e ekonomisë rurale dhe nxitjen e punësimit të të rinjve në bujqësisë”, theksoi ministrja Krifca.
/gj.m/





















