TIRANË, 29 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga rruga drejt fshatit turistik të Dardhës në Korçë, që është mbuluar nga dëbora.
Në pamjet e publikuara, shihet zona e Dardhës e zbardhur nga dëbora, ndërsa rruga që të çon në këtë fshat është e hapur dhe qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.
Reshjet e borës gjatë ditëve të fundit kanë mbuluar të gjithë zonën.
Vetëm 18 km në juglindje të Korçës, Dardha vizitohet veçanërisht në këto ditë të dimrit nga qindra turistë vendas e të huaj.
Fshati turistik është një nga atraksionet turistike kryesore gjatë dimrit. Aty ndodhet dhe pista e skive që është shumë e përshtatshme për zhvillimin e sporteve dimërore, veçanërisht atë të skive.
Ky atraksion turistik ofron një klimë ideale, ajër të pastër të pasur me oksigjen, gjë që e bën një prej destinacioneve të preferuar gjatë gjithë vitit./m.m/























