UELLINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Chris Hipkins do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Zelandës së Re, pas dorëheqjes së papritur të Jacinda Ardern.
”Hipkins ishte i vetmi i nominuar për kreun e Partisë Laburiste”, njoftoi sot në një deklaratë deputeti laburist, Duncan Webb.
”Emërimi i 44-vjeçarit duhet ende të miratohet zyrtarisht nga grupi i Partisë së Punës. Kjo do të ndodhë të dielën”, tha Webb.
Pas kësaj, Ardern pritet të japë zyrtarisht dorëheqjen e saj dhe Hipkins do të betohet si kryeministri i 41-të i Zelandës së Re.
Hipkins do të jetë kryeministër përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vendit, të caktuara për 14 tetor.
”Roli i kryeministrit është një privilegj i madh”, tha sot Hipkins, në konferencën e tij të parë për shtyp.
“Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe. Dhe pesha e kësaj përgjegjësie ende po rritet”, theksoi ai.
“Unë ndihem energjik dhe entuziast dhe mezi pres të filloj punën”, tha Hipkins.
Hipkins aktualisht është ministër i Arsimit, por është më i njohur për rolin e tij si ministër për Covid-19 gjatë kulmit të pandemisë./ a.jor.























