TIRANË, 4 janar /ATSH/ Gjatë vitit 2022 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka zgjeruar ndjeshëm numrin e inspektorëve dhe specialistëve të trajnuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare në lidhje me rritjen e performancës profesionale.
Standardet e kontrollit për sigurinë ushqimore sipas BE-së, që po zbatohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) kanë sjellë si domosdoshmëri zhvillimin e trajnimeve të herëpashershme të stafit të AKU-së, të cilët janë në kontakt të përditshëm dhe të drejtpërdrejt me produktet e ndryshme.
Sipas AKU-së, krahasuar me një vit më parë janë trajnuar 396 inspektorë dhe specialistë, ose 382% më shumë se në vitin 2021.
Një tjetër risi për vitin 2022 ishin edhe programet “Të trajnuarit, trajnojnë” nëpërmjet programit online webex, ku përmes bashkëbisedime janë trajtuar tema të ndryshme sensitive për sigurinë ushqimore që kanë të bëjnë me: auditimin e brendshëm të operatorëve të biznesit ushqimor, gatishmërinë ndaj krizave ushqimore, higjiena e ushqimit dhe fleksibiliteti, higjiena e ushqimit në lëndët e para e molusqet e gjalla bivalvore, kontrolli i materialeve në kontakt me ushqimin, menaxhimi i riskut, kriteret mikrobiologjike dhe monitorimi e kontrolli i zoonozave dhe agjentëve zoonotikë, vlerësimi i riskut mjedisor, shpërthimet ushqimore, produktet me indikacion gjeografik, etj.

/r.e/












