TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%.
Gjithashtu të pandryshuara mbeten edhe norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 1.75% dhe norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 3.75%.
Banka e Shqipërisë gjatë vitit 2022, ka rritur me 2.25 pikë përqindje normën bazë të interesit duke e çuar atë në 2.75%, niveli më i lartë që prej vitit 2014.
Por, tendenca ngadalësuese e inflacionit dhe sidomos e komponentit bazë gjatë muajve të fundit duket se kanë bindur bankën qendrore ta ngadalësojë disi ritmin e normalizimit monetar.












