Ballina Aktualitet

PD reagon për videon e publikuar ndaj një doganieri

TIRANË, 13 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me videon e publikuar në media ndaj një punonjësi të Doganës së Durrësit.

Në një deklaratë për mediet Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj tha se qindra kamera ka në portin e Durrësit për të monitoruar çdo lëvizje, çdo hyrje-dalje, por me sa duket, ato nuk kapin dot lekët që ndërrojnë duart nga tregtarët te doganierët bedelë të Belindës dhe Edit.

“Shihni se si doganierët e portit të Durrësit, si të jenë faturino autobusi, që japin bileta e marrin 30 lekë, haptas fare, bëjnë dialogje korrupsioni, marrin para nën dorë dhe u ofrojnë siguri kontrabandistëve. Të gjitha në kurriz të arkës së shtetit dhe taksapaguesve”, shprehet ajo.

Ajo theksoi se, “bëhet fjalë për njerëz që kanë gjetur punë pas kontributit si patronazhistë në vjedhjen e zgjedhjeve, apo të tjerë që janë të afërt të funksionarëve të lartë me shërbim pranë Edi Ramës. I tillë është rasti i Skerdilajd Palnikajt, doganierit që del në këto pamje duke marrë ryshfet që është i vëllai i Dritan Palnikajt. Ky i fundit ka mbajtur disa poste të larta në qeverinë Rama, nga sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme, shef i shërbimit të burgjeve dhe aktualisht këshilltar i kryeministrit. Pra, është pjesë e oborrit të vogël të Ramës”.

Hysa shtoi se ne dimë se përgjegjësia është individuale, por duam të theksojmë fort faktin se kolektive është prirja e administratës së Ramës për të vjedhur.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalluku: Rezerva energjetike në dhjetor arriti në 919 gigavat-orë
Artikulli tjetërRama: Investime për fuqizimin e rrjetit të aparaturave moderne në spitale